Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve që lidhen me lansimin e “Programit Master për Energjetikë”, duke mohuar çdo meritë të qeverisë apo të Ministrisë së Arsimit në këtë proces.
Ajo thekson se programet e reja në Universitetin e Prishtinës hartohen dhe mbrohen ekskluzivisht nga stafi akademik, pa asnjë ndërhyrje apo kontribut nga niveli qeveritar.
“Lej more punët e të tjerëve, se as ti, as Nagavci, asnjë meritë aty nuk e keni. Këtë e them me përgjegjësi të plotë, sepse jam pjesë e stafit akademik në UP që nga viti 2004,” shkroi Bajrami në një postim në rrjete sociale.
Ajo e shfrytëzoi rastin për të drejtuar kritika të forta ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për mosadresim të skandaleve në sektorin e energjisë – një fushë që sipas saj është kthyer në terren të korrupsionit dhe keqpërdorimeve gjatë qeverisjes aktuale.
“Pse s’po flet për skandalet në këtë sektor, Albin? Ti je përgjegjës për gjendjen dhe skandalet në sektorin e energjisë,” shtoi Bajrami, duke përmendur konkretisht ish-ministren e ekonomisë, si dhe emërimet në ZRRE dhe KOSTT, të cilët sipas saj kanë ndihmuar në lulëzimin e mafies energjetike.
Ajo gjithashtu ka përmendur të dhëna të publikuara nga Buletini Ekonomik, ku pretendohet se një shërbim transporti energjetik është blerë për 1.11 euro për MWh, ndërsa është shitur për 798.32 euro. Sipas saj, njëra nga kompanitë përfituese është ETF, e lidhur me Vuk Hamoviqin, ndërsa tjetra është NOA – një kompani që sipas Bajramit hyri në treg për herë të parë në kohën e kësaj qeverie dhe tashmë është ndër më të mëdhatë për nga qarkullimi në Kosovë, me vetëm dy punëtorë.
“Jemi të varfër apo të vjedhur? Deklarohu, Albin!” përfundon reagimin e saj Bajrami.