Gjatë ditës është lansuar projekti “Mendjet për Paqe”, në ambientet e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Emin Duraku” në Prishtinë.
Pjesë e kësaj ceremonie lansimi ishte edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës,Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Nagavci përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka deklaruar se ky projekt do të ofrojë mundësi trajnimi për 20 psikologë shkollor, të cilët do të punojnë me fëmijët dhe përmes tyre edhe me komunitetin.
“Përgëzova bartësit e projektit për lansimin e tij në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor. Me trajnimin që do t’iu ofrohet psikologëve, përmes një programi të akredituar, përfitues do të jenë nxënësit dhe komuniteti”.
“Vitin e kaluar, përmes një Memorandumi të nënshkruar me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), jemi pajtuar për bashkëpunim në implementimin e projektin ‘Mendjet për Paqen: Rritja e shërbimeve të shëndetit mendor në arsimin bazë për të nxitur paqen’”, ka shkruar Nagavci. /Gazeta Enigma