Presidenti Joan Laporta ka theksuar se Barcelona nuk do të heqë dorë nga gara për titullin e La Liga Santander, deri sa Real Madridi të arrijë matematikisht trofeun.
Vërejtjet e presidentit të Barcelonës vijnë pas humbjes 1-0 kundër Cadizit në Camp Nou, të hënën mbrëma, dhe pas fitores 3-2 të Real Madridit kundër Sevillës, një ditë më parë, shkruan Marca.
“Kjo Javë e Shenjtë ka qenë si mundimi i Jezu Krishtit,” tha Laporta gjatë një konference për shtyp, të martën.
“E enjtja e madhe ishte një zhgënjim dhe e mbyllëm të hënën e Pashkëve me një tjetër. Duhet të rikuperohemi dhe të forcohemi. Pas pengesës së djeshme, nuk po e hedh peshqirin”.
“Në futboll, çdo gjë mund të ndodhë. Do të kisha dashur të flisja sot pasi munda Cadizin dhe të flisja për gjërat që doja, por nëse do ta bëja do të dukej se do të jem viktimë”.
Laporta i etiketoi ndeshjet e fundit të Barcelonës si finale, pasi ata synojnë të sigurojnë një vend në katër të parat në La Liga Santander dhe të arrijnë kualifikimin për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve të sezonit të ardhshëm.
“Situata është ndryshe nga ajo që prisnim, unë së pari”, deklaroi Laporta.
“Por, ndërsa ka jetë, ka shpresë. Matematikisht, është e mundur. Ne duhet të luftojmë në shtatë finalet e ardhshme për të provuar të marrim rezultatin më të mirë të mundshëm. Nuk duhet të hedhim poshtë peshqirin, por do të jetë e vështirë për të fituar ligën”.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi shtatë finale dhe duhet t’i fitojmë ato për të qenë në Ligën e Kampionëve”./Gazeta Enigma/