Kristi Kullaj nuk është më pjesë e Partizanit. Është vetë lojtari që përmes një njoftimi në rrjetet sociale tregon se i ka dhënë fund aventurës me të kuqtë.
Ai falënderon të gjithë ata me të cilët punoi, duke veçuar trajnerin Ilir Daja që besoi te aftësitë e tij. Në fund e mbyll me tifozët e zjarrtë “Ultras Guerrils” për të cilët duket se ka konsideratë të madhe.
“Përshëndetje! Dua t’iu njoftoj se nga dita e sotme nuk jam më pjesë e Partizanit. Do të doja që kjo aventurë të zgjaste më shumë, por kushte ishin të tilla.
Falënderoj të gjithë ata që punuan me mua, bashkëlojtarët, punonjësit e stafit dhe veçanërisht trajnerin Ilir Daja, i cili ishte i pari që besoi te unë. Një falënderim i madh shkon gjithashtu për tifozët e zjarrtë të Partizanit dhe grupimin “Ultras Guerrils”. Kristi Kullaj”.
23-vjeçari u transferua te Partizani në merkaton e dimrit, por nuk arriti të kishte minuta në këmbët e tij. Tashmë i ka dhënë fund aventurës me kryeqytetasit dhe pritet me interes të shihet se ku do të jetë e ardhmja e tij.