Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave në Kosovë Xhevat Latifi flet ndër të tjera mbi shqetësimet që ka krijuar, jo vetëm në këtë vend, por edhe në mbarë rajonin, propaganda dhe dizinformatat e përhapura pas sulmit rus në Ukrainë.
Në një raport të publikuar të mërkurën nga Instituti “Demokraci për Zhvillim”, me qendër në Prishtinë, thuhej se fillimi i agresionit rus, bëri që brenda pak ditësh numri i artikujve të publikuar në median online në Kosovë të rritet me 273 për qind, krahasuar me një muaj para sulmit. Një rritje e tillë sipas studimit, ka bërë që të shtohet edhe numri i artikujve me përmbajtje të rreme.
Latifi tha se në disa shoqëri, sikurse në Kosovë, lajmet e rreme krijojnë situata helmuese që mund të çojnë në konflikte. Në këtë vazhdë, tha ai, Komisioni i Pavarur i Medias ka qenë i pari në rajon që ka reaguar duke ndalur transmetimet në Kosovë të programeve ruse. Ai tha se ky vendim është respektuar në tërësi. Me zotin Latifi bisedoi kolegia Menada Zaimi.
Këto ditë në Shtetet e Bashkuara ndodhet për një vizitë kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave të Kosovës, Xhevat Latifi, i cili ishte qëllimi i vizitës tuaj në Uashington?
Xhevat Latifi: Po qëndroj në një vizitë në Shtetet e Bashkuara, së bashku me homologen time nga Shqipëria, zonjën Armela Krasniqi, që udhëheq AMA-n. Kemi trokitur në disa dyer, të cilat i kemi vlerësuar se janë shumë të rëndësishme për të marrë eksperienca të reja, për komunikime të reja në projekte të përbashkëta, të cilat do të mundësonin që të kemi rregullatorë edhe më të mirë se sa i kemi sot. Këtë radhë ishim për vizitë në Departamentin amerikan të Shtetit ku takuam zotin Martin McDowell. Është drejtor i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Juglindore. Me zotin Martin kemi trajtuar problematikat e dezinformimit, problemet që kanë dalë pas konfliktit në Ukrainë dhe Rusinë, të cilat kanë ndikuar edhe zhvillime në rajon dhe më tutje. Ne kemi takuar edhe zonjën Olga Madruga-Forti që është nga Agjensia Federale e Komunikimit, do të thoja është një homologe e KPM-së dhe AMA-s në Amerikë, dhe me të kemi ngritur probleme të cilat mund të thuhet janë edhe të fushës së përbashkët, për sa i përket lirimit të brezave frekuencorë, procesin e rinovimit të liçencave, rregullimin audiovizual dhe të përmbajtjes, të cila trajtohen në Amerikë. Ne kemi parë se si trajtohen tek institucioni amerikan federal dhe pastaj do të shohim edhe bashkëpunime të reja që çojnë në këtë fushë që të marrim impaktin në vendet tona. Unë mendoj, besoj dhe shpresoj, se nga këto takime, këto dyer që kemi trokitur, sidomos tek zonja Madruga-Forti, me kthimin tonë në vend do fillojnë projekte të cilat do të preken.
Latifi, si do ta përkufizonit juve situatën me lirinë e shprehjes në vendin tuaj? Si është sot Kosova?
Xhevat Latifi: Ajo që mund të them është se doja të përmendja edhe vizitën që bëmë në National Press Club dhe takuam drejtorin ekzekutiv William McCarren dhe presidentin, do thoja historik, Gil Klein. U thashë edhe atyre, nuk është vetëm mendimi ynë, e thonë edhe të tjerë, e tha edhe ambasadori i OSBE-së në Prishtinë, se mediat në Kosovë janë nga më të mirat në rajon. Natyrisht ne nuk mendojmë se kjo është vetëm punë e jona si KPM, por natyrisht na takon edhe neve merita që kemi facilituar që të kemi këtë gjendje të mirë të mediave tona. Gjykojmë dhe vlerësojmë se mediat tona janë më të mirat në rajon dhe mund të themi se kjo gjendje është edhe për shkak të profesionalizmit që kanë mediat në punë. Një media e mirë, do të thoja ka shumë pak punë me rregullatorin, një redaksi e mirë.
Ja për shembull, në thelb të punës tuaj është që ju të shikoni se si është media në raport me kodin e saj të etikës. Duke patur parasysh edhe shtrirjen e mediave, kryesisht asaj në internet. Si garantohet kodi i etikës nga institucioni që ju drejtoni?
Xhevat Latifi: Në këtë vazhdë, ne duhet të bëjmë një prerje edhe për shikuesit tanë, që Komisioni i Pavarur për Media merret me mediat audio dhe audiovizuale. Problematika në shoqërinë tonë del të jetë më problemore tek mediat online. Sa i përket fushës ku ne mbulojmë, mbajmë këtë epitet, që këto media që kemi ne në Kosovë janë nga më të mirat në rajon. Ajo që mund të na shqetësojë ndoshta si rregullator dhe shoqëri është fuqia që po merr industria mediale në të ardhmen dhe mund të kemi një tjetër fuqi, krahas zhvillimeve teknologjike, që të kemi një natyrë tjetër të dinamikës, të jetës që zhvillohet në këto media. Sidqoftë, çështja e mediave online është ngritur shpeshherë në shoqërinë tonë. Ne jemi në vitin kur do të kemi ligjin e ri të KPM-së. Është edhe obligim i direktivës evropiane që të kemi pjesën audiovizuale, por ka mendime në shoqërinë tonë që ajo duhet të rregullohet nga Komisioni i Pavarur për Mediat. Është një debat në shoqëri tonë. Mund të them se ligji është në procedim. Pritet në vjeshtë të futet në parlament. Por, të gjitha grupet e interesuara, të gjithë ata qytetarë të Kosovës që mendojnë se duhet të trajtohen me ligj disa probleme në Komisionin e Pavarur për Mediat duhet të japin kontributin e tyre.
Ju përmendët dezinformatat, lajmet e rreme, si mund të shmanget kjo problematikë, duke pasur parasysh se ka patur një raport të kohëve të fundit nga Organizata për Demokraci dhe Zhvillim, që thotë se ka një rritje të shkrimeve që lidhen kryesisht me Ukrainën dhe bashkë me të edhe një rritje të dezinfomacionit, informacioneve të rreme?
Xhevat Latifi: Jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon e më gjerë, çështja e propagandës dhe dizinformatave pas ngjarjeve në Ukrainë është shumë e madhe dhe shumë e vrazhdë. Dhe në disa shoqëri, si Kosova, krijon situata helmuese që mund të çojnë në konflikte. Në këtë vazhdë, Komisioni i Pavarur i Medias ka reaguar ndër më të parët në rajon. Kemi bërë vëzhgime të medias audio-vizuale, kemi hasur në programe ruse dhe kemi dalë në përfundimin se këto kanale duhet të pezullohen. Vendimi ynë është respektuar në tërësi. Ajo që na ka bërë përshtypje, kemi patur shpërndarës shqiptarë që kanë patur kanale të tilla, ndërkohë që operatorët shpërndarës të nacionalitetit serb në veri, kanë rënë dakord dhe i kanë pezulluar këto kanale. Këto kanale janë burim i dizinformatave të veçanta.
Edhe një pyetje të fundit, zoti Latifi. Ndër punët e papërfunduara të intitucionit tuaj është procesi i dixhitalizimit të transmetimeve tokësore. Pse ka ngecur ky proces?
Xhevat Latifi: E kemi cilësuar, e kemi vënë objektiv në vitin 2021 që të trajtojmë dixhitalizimin dhe unë mendoj që krahas debateve që do t’i kemi, krahas punëve që na dalin në përditshmëri, do të jemi në muajt kur do t’i takojmë të gjithë grupet e interesit, të gjithë mekanizmat që kemi në Kosovë, duke përfshirë përfaqësuesit e parlamentit, ata të qeverisë, që të shohim, – kemi takuar edhe radiotelevizionin e Kosovës, është në interes të përbashkët që të kemi dixhitalizimin – dhe do t’i jepet një epilog kësaj problematike që po na përcjell me vite. Dhe unë uroj dhe besoj që ky vit të jetë që do të ketë epilogun për çfarë e vlerësojnë të gjitha grupet e interesit në Kosovë për dixhitalizimin.
Faleminderit Latifi për intervistën që dhatë për Zërin e Amerikës.
Xhevat Latifi: Respekte edhe njëherë. Zëri i Amerikës për gjeneratën time ka qenë dhe mbetet një shembull shumë i mirë për zhvillimin e gazetarisë profesionale dhe ka mbajtur fjalorin gjallë që të jemi sot të lirë qysh jemi në Kosovën e pavarur.