Autoritetet islandeze kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme të dielën në veri të Islandës, pas një shpërthimi të ri vullkanik në Gadishullin e Reikjanes.
Ky ishte shpërthimi i katërt vullkanik në këtë gadishull prej dhjetorit të kaluar.
Besohet se ky është shpërthimi më i fuqishëm deri tani. Lava e zjarrtë ka rrjedhur deri te muret mbrojtëse përreth qytetit të evakuuar, Grindavik, njoftuan autoritetet.
Njerëzit janë larguar edhe nga Blue Lagoon spa, njëri prej atraksioneve më të mëdha turistike të Islandës.
Hapësira ajrore e Islandës mbetet e hapur.
Sipas autoriteteve, shpërthimi i vullkanit nisi në orën 20:00 të shtunën, në veri të Grindavikut, në lokacionin ku kishte nisur shpërthimi edhe më 8 dhjetor.
Qyteti me 3.800 banorë afër aeroportit kryesor të Islandës u evakuua më 10 nëntor kur një sërë tërmetesh shkaktuan çarje të tokës mes Grindavikut dhe Sylingarfellit, një qytet i vogël bjeshkor në veri.
Disa banorë që ishin kthyer në Grindavik, u detyruan të evakuohen përsëri të shtunën.
Vullkani filloi të shpërthejë përfundimisht më 18 dhjetor, duke lëshuar lavë në drejtim të Grindavik. Një shpërthim i dytë ndodhi më 14 janar dhe lava e tij rrodhi drejt qytetit.
Muret mbrojtëse të cilat ishin forcuar pas shpërthimit të parë e ndalen një pjesë të lavës, por disa ndërtesa u gllabëruan nga lava.
Dy shpërthimet e para zgjatën pak ditë. Shpërthimi i tretë ndodhi më 8 shkurt dhe zgjati pak orë.
Në Islandë ndodh shpërthimi i një vullkani çdo katër-pesë vjet mesatarisht. Më 2010 ndodhi shpërthimi i vullkanit Eyjafjallajokull, më i madhi në vitet e fundit, duke lëshuar re të mëdha hiri në atmosferë, gjë që shkaktoi mbylljen e hapësirave ajrore nëpër Evropë.