Shefi i diplomacisë ruse Sergey Lavrov të hënën në Egjipt e ka pranuar se qëllimi përfundimtar i Moskës është të rrëzojë qeverinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të vendeve në samitin e Ligës Arabe në Kajro, Lavrov tha se Moska është e vendosur të “ndihmojë ukrainasit të çlirohen nga barra e këtij regjimi absolutisht të papranueshëm”.
Lavrov akuzoi Kievin dhe aleatët perëndimorë për “përhapjen e propagandës që synon të sigurojë që Ukraina të bëhet armiku i përjetshëm i Rusisë”, raporton AP.
“Populli rus dhe ukrainas do të vazhdojnë të jetojnë së bashku. Ne patjetër do të ndihmojmë popullin ukrainas që të heqë qafe regjimin, i cili është absolutisht antikombëtar dhe antihistorik”, shtoi Lavrov.
Deklaratat e ministrit të jashtëm rus bien ndesh me deklaratat zyrtare të Kremlinit që nga fillimi i luftës, kur zyrtarët rusë theksuan vazhdimisht se qëllimi i operacionit ushtarak në Ukrainë nuk ishte rrëzimi i qeverisë së Volodymyr Zelensky.