Kryetari i Rrjetit Global të Diasporës Shqiptare, Lazim Destani tha se roli i diasporës është i padiskutueshëm dhe se Kosovën e presin ditë të mira.
Ai gjatë fjalës së tij në Forumin e Bizneseve të Diasporës tha se krahas aspektit të investimeve vlerat e diasporës janë shumë dimensional, si nga aspekti i transferit të eksperiencave, kulturave, etj.
“Është thënë shumë herë që roli i diasporës shqiptare për vendet tona është i padiskutueshëm. Krahas aspektit të investimeve, vlerat e diasporës janë shumë dimensional, si nga aspekti i transferit të eksperiencave, kulturave dhe projekti i bashkëpunimit në vendet evropiane ku jetojnë dhe punojnë. Kontributi dhe rezultatet e diasporës janë evidente”, tha ai.
Sipas tij, sot nuk ka nevojë më të madhe se sa rritja e eksportit dhe ekonomisë në vend dhe se diaspora është e interesuar të investojë në Kosovë.
“Ka akoma shumë hapësirë për potencial për përmirësimin e të gjitha sektorëve të ekonomisë. Kosovën e presin ditë të mira dhe se diaspora është më e interesuar të investojë në Kosovë”, ka thënë ai.
Ai po ashtu u bëri thirrje autoriteteve shtetërore që ta mbështesin unitetin e Rrjetit Global të Diasporës Shqiptare, si një vlerë e veçantë kombëtare.
“I ftoj autoritetet shtetërore të vendeve tona që ta mbështesin unitetin e Rrjetit Global të Diasporës Shqiptare, si një vlerë me peshë të veçantë kombëtare”, tha ndër të tjera Destani.