LDK: Bislimi nuk gëzon mandat legjitim për të përfaqësuar Kosovën

LDK: Bislimi nuk gëzon mandat legjitim për të përfaqësuar Kosovën

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një shkrimi në Facebook, ka reaguar lidhur me përfaqësimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

LDK thotë se Bislimi nuk gëzon mandat legjitim aktualisht për të përfaqësuar Kosovën në Bruksel.

Tutje, theksuan se emërimi i tij si kryenegociator ka përfunduar me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve qendrore më 9 shkurt.

REAGIM PËR MEDIE

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me vëmendje takimin e sotëm trepalësh në Bruksel në mes të zëvendëskryeministrit në detyrë Besnik Bislimi, kryenegociatorit serb Petkoviç dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi z. Peter Sorensen. LDK konsideron se z. Bislimi nuk gëzon asnjë mandat legjitim për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë.

Mandati i ish-qeverisë ku z. Bislimi ka qenë i emëruar kryenegociator nga ish-kryeministri Kurti tanimë ka përfunduar me certifikimin e rezultateve zgjedhore të 9 shkurtit. Andaj, z. Bislimi është vetëm ushtrues detyre, pa legjitimitet demokratik dhe pa miratim parlamentar për të marrë vendime në procesin e dialogut.

Negociatat me Serbinë janë çështje të interesit të lartë shtetëror dhe nuk mund të zhvillohen nga një qeveri në detyrë. Çdo marrëveshje apo angazhim eventual i ndërmarrë në këtë fazë nuk do mund të prodhojnë obligime për Kosovën. Tentimi i z. Bislimi për ta futur Kosovën në obligime, pa patur mandat legjitim e demokratik, është i papranueshëm, antikushtetues dhe joligjor.

LDK kërkon që të respektohet rendi kushtetues dhe vullneti i qytetarëve të shprehur në zgjedhje. Dialogu duhet të vazhdojë vetëm me institucione të reja, të dala nga zgjedhjet, me mandat të qartë dhe përfaqësim të plotë./GazetaEnigma/

Related Articles