Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
LDK thotë se dhuna seksuale në Kosovë ishte pjesë e një sërë akteve kriminale serbe të kryera në kontekstin e një agresioni masiv, dhe si i tillë mbetet një plagë e thellë për shoqërinë kosovare.
“Ndonëse më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, rrëfimet e grave që kanë përjetuar dhunimin ende mbeten të pa treguara dhe të heshtura në historinë e tyre plot dhimbje. Përkundër, që është bërë një hap drejt njohjes së statusit të tyre, gratë e mbijetuara të dhunës seksuale vazhdojnë të ballafaqohen me stigmën e mos integrimin e tyre në shoqërinë tonë”.
“Derisa, kufizimi ynë shoqëror në definimin se dhuna seksuale është mjet lufte, është padrejtësia e radhës që mund t`i bëhet të mbijetuarave për faktin se diskursi publik pas përfundimit të luftës ka qenë i heshtur në rikthimin e vëmendjes ndaj tregimeve të grave”.
“Guximi i disa të mbijetuarave për të ndarë historinë e tyre të përjetuar, kanë thyer heshtjen dhe kanë ndihmuar në emërimin e tragjedisë së tyre e si rezultat, thyerjen e heshtjes e trasimin e rrugës për drejtësinë e 20.000 mijë grave të tjera”.
Sipas LDK-së, ballafaqimi me të kaluarën asnjëherë nuk mund të jetë i drejtë, pa drejtësinë shoqërore ndaj kategorisë së të mbijetuarave.
“Prandaj, është përgjegjësi shoqërore dhe institucionale që kjo kategori shoqërore të mos përbuzet. Kujdesi për mirëqenien, rehabilitimin dhe risocializimin e tyre në jetën private e publike mbetet obligimi i LDK-së”.