LDK-ja kërkon vendosjen e shtatores së Leotrim Ahmetit në oborrin e Kuvendit të Kosovës

LDK-ja kërkon vendosjen e shtatores së Leotrim Ahmetit në oborrin e Kuvendit të Kosovës

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovëa, dje ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, për vendosjen e shtatores së Leotrim Ahmetit në oborrin e Kuvendit të Kosovës, njofton Gazeta Enigma.

Këtë e bëri të ditur deputeti i kësaj partie, Avdullah Hoti.

“Shtatorja e Leotrimit, e punuar me mjeshtëri nga skulptori Sabri Behramaj dhe e vendosur në qendër të Skënderajt, është bërë simbol i së vërtetës historike të popullit të Kosovës. Vendosja e shtatores së njejtë, në oborrin e Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si një mënyrë e denjë për të memorializuar të kaluarën e rëndë të Kosovës dhe për të përkujtuar sakrificën e mbi 1.000 fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit”, shkroi deputeti Hoti në një postim në Facebook.

Leotrim Ahmeti, fëmija 7-vjeçar u vra me 11 shtator 1998, nga shpërthimi i granatave të forcave serbe në oborrin e shtëpisë së familjes Ahmeti në Rrezallë të Skenderajt, dhe copat e granatës ranë mbi fëmijët e nënës Shukrie Ahmeti, gruas së Malush Ahmetit, dëshmorit të Kosovës.

“Pas, marrjes së pëlqimit të familjes Ahmeti, ne këkojmë nga autorietet e Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të realizuar këtë kërkesë dhe për të kujtuar përgjithmonë historinë e rëndë të kombit tonë. Gjithashtu, dëshirojmë të informojmë publikun se do të angazhohemi që e njëjta shtatore të vendoset edhe në kryeqendrat e vendeve të rëndësishme perëndimore”, tha tutje Hoti. /Gazeta Enigma

Related Articles