Ruzhdi Shehu do të garojë sërish për postin e Kryetarit të Komunës së Junikut në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi, ku ka njoftuar se është nominuar nga Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë komunë.
Shehu ka thënë se kandidimi i radhës do të jetë edhe i fundit për të në këtë post.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Junikut,
Me nder dhe përgjegjësi të lartë ju njoftoj se Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Junik më ka nominuar edhe për një mandat si kandidat për Kryetar të Komunës.
Kjo mbështetje e strukturës së partisë, e kombinuar me besimin dhe përkrahjen që çdo ditë po e ndjej nga qytetarët e Junikut, më jep forcë dhe vullnet për të vazhduar angazhimin tim në shërbim të komunës sonë. Megjithatë zgjedhjet e ardhshme lokale do të jenë zgjedhjet e fundit në të cilat unë do të kandidoj për Kryetar të Junikut. Pra mandati i ardhshëm do të jetë mandati i fundit si Kryetar i Komunës.
Së bashku kemi realizuar shumë projekte e iniciativa që kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, dhe njëkohësisht kemi të planifikuara edhe shumë projekte të tjera që do të realizohen në vazhdim, me synim zhvillimin e qëndrueshëm të Junikut në çdo drejtim.
LDK në Junik është më e konsoliduar se kurrë më parë dhe besoj fuqishëm se me mbështetjen tuaj dhe punën tonë të përbashkët, në zgjedhjet e ardhshme do të triumfojmë pa balotazh.
Faleminderit të gjithë qytetarëve të Junikut si dhe mërgatës junikase për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në rrugëtimin tonë të përbashkët për të mirën e Junikut.