Ish-kryetari i Suharekës, Blerim Kuçi sot i’u bashkua zyrtarisht Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Lajmi u konfirmua nga dega e LDK-së në Suharekë.
“Blerim Kuçi nga sot i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sot, në selinë e LDK-së në Suharekë, bashkë me kryetarin Lumir Abdixhiku, pritëm ish kryetarin e komunës dhe ish sekretarin organizativ të LDK-së z. Blerim Kuçi.Blerim Kuçi përveç angazhimeve të shumta në politikë ai ka dhënë një kontribut të veçantë edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës por edhe ka mbështetur arsimin e studentët duke shpërnda bursa për ta. Nga sot ai rikthehet në shtëpinë tonë politike duke iu bashkuar vizionit të LDK-së për një Kosovë zhvillimore, demokratike dhe evropiane.”, thuhet në njoftimin e LDK-së dega Suharekë.
Sipas njoftimit, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku dhe kryetari i degës Ardian Shala falënderuan Kuçin për gatishmërinë e tij për të kontribuar për Lidhjen Demokratike të Kosovës “me synime të qarta për rikthimin e LDK-së në Suharekë dhe krejt Kosovën”.
Për ish-Ministrin kosovar aderimi në LDK do të thotë rikthim pas 17 vitesh tek kjo parti politike.
Blerim Kuçi po rikthehet në politikë. Pas një pauze disa vjeçare pas largimit nga AAK-ja në vitin 2022, ish-kryetari i Suharekës pritet t’i bashkohet sot partisë së Lumir Abdixhikut, merr vesh gazeta online Reporteri.net.
Rikthimi i Kuçit në politikë dhe LDK po ndodhë në prag të zgjedhjeve lokale në vend.
Ndonëse nuk dihet nëse i njëjti synon t’i kthehet garës për kryetar të Suharekës, këtë herë si kandidat i LDK-së, vlen të ceket se si personalitet nga kjo komunë, Kuçi çdo herë në zgjedhje lokale shihet si njeri me ndikim në rezultatin zgjedhorë në këtë qytezë. Përkrahja e tij ndaj Bali Muharremajt, për shumë konsiderohet si “formulë” e fitores së tij deri tash në Suharekë.
Blerim Kuçi kishte braktisur në vitin 2022 AAK-në e Ramush Haradinajt për t’u fokusuar në biznesin e tij. Para largimit nga kjo parti ai kishte qenë ministër i Ekonomisë dhe Ambientit, nga radhët e AAK-së, në Qeverinë Hoti.