Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar edhe një herë që në mënyrë urgjente të kthehen mjetet e marra tek qytetarët në mënyrë të kundërligjshme nga pushteti dhe ZRRE.
Sipas LDK-së vendimi i Gjykatës së Apelit, e cila refuzoi ankesën e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë eklektike, vërtetoi edhe një herë se rritja e tarifave të energjisë ka qenë e padrejtë dhe e jashtëligjshme.
“Në kohën kur nga paaftësia qeverisëse, inflacioni në vend ka arritur nivelin rekord prej 11.2%, kthimi i këtyre mjeteve sa më shpejt që është e mundur është domosdoshmëri për qytetarët. Po ashtu në mënyrë urgjente kërkojmë që të kthehen tarifat e vjetra të energjisë elektrike, pasiqë edhe pse kanë kaluar dy ditë nga vendimi i Gjykatës së Apelit, energjia elektrike vazhdon të llogaritet me tarifa të cilat i ka rrëzuar gjykata”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e LDK-së.
Ky subjekt politik i ka bërë thirrje Qeverisë se rritja e tarifave të energjisë elektrike është vendim i padrejtë dhe i paligjshëm, në vazhdimësi ka ofruar edhe alternativa për menaxhimin e krizës në kohë dhe bazuar në veprime adekuate.