Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar në Kuvend se Projektligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor është një nismë e rëndësishme, por që vjen pas një vonese të gjatë institucionale në zbatimin e reformës së premtuar prej vitesh.
Zemaj tha se diskutimet për mbulim universal shëndetësor janë të kahershme dhe se problemi nuk qëndron vetëm në mungesën e ligjit, pasi sipas tij ekziston edhe një ligj aktual në fuqi.
Ai theksoi se procesi aktual nuk dallon shumë nga debatet dhe përpjekjet e mëhershme institucionale, duke përmendur se diskursi i sotëm i ngjan atij të viteve të kaluara.
Sipas tij, qytetarët kanë pritur shumë gjatë për sigurime shëndetësore, duke përmendur se procesi i zbatimit mund të zgjasë edhe disa vite të tjera.
Zemaj shtoi se qytetarët duhet të informohen më mirë për shërbimet që marrin dhe për kontributet që paguajnë në sistemin shëndetësor.
Megjithatë, ai tha se LDK e përkrah në parim projektligjin, duke e cilësuar si një hap të nevojshëm për shkak të pritjes së gjatë të qytetarëve për këtë reformë.
Sipas tij, nuk duhet të bëhet betejë politike rreth këtij ligji, por të synohet zbatimi sa më i shpejtë dhe efektiv i tij në praktikë.
