LDK: Siguria personale e deputetit Zemaj u cenua drejtpërdrejtë

LDK: Siguria personale e deputetit Zemaj u cenua drejtpërdrejtë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot gjatë një interviste publike, ku deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, pasi u ofendua nga një qytetar e grushtoi atë.

Në komunikatën e saj, LDK e ka cilësuar këtë akt si “të papranueshëm” dhe “cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit dhe ndaj integritetit të institucioneve demokratike të vendit”.

“Sulmet, qoftë verbale apo fizike, ndaj përfaqësuesve të popullit dhe zyrtarëve të LDK-së, përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit institucional dhe të kulturës demokratike mbi të cilën ndërtohet shteti ynë. Mendimi ndryshe është vlerë themelore e demokracisë, por shprehja e tij kurrë nuk mund të kalojë në fyerje apo dhunë”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

LDK ka shprehur solidaritet të plotë me deputetin Zemaj dhe ka kërkuar nga organet e rendit dhe të ligjit që të sqarojnë me përgjegjësi rrethanat e sulmit.

“Respekti ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre është respekt ndaj vetë shtetit dhe ndaj rendit demokratik. Kultura e debatit, e respektit dhe e dinjitetit duhet të mbizotërojë në jetën publike, si garanci e paqes shoqërore dhe e funksionimit demokratik të shoqërisë sonë”, përfundon reagimi i LDK-së.

Related Articles