Paris Guri është zgjedhur kryetar i forumit të Rinisë së LDK-së.
Këtë e ka bërë të ditur, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Abdixhiku, ka shkruar se ndaj të rinjve kanë obligimin e krijimit të hapësirës e përfshirjes në çdo nivel vendimmarrës.
Postimi i tij i plotë:
Të priftë e mbara Paris!
Forumi i Rinisë mbajti sonte Kuvendin e XI-të Zgjedhor. Me pjesëmarrjen e 329 delegatëve të zgjedhur nga degët e nëndegët tona, Paris Guri u zgjodh kryetar i ri i këtij Forumi.
Parisi është një studiues post-universitar i shkencave politike e integrimeve evropiane; një bursist i dalluar e aktivist i të drejtave të njeriut. Duke e njohur mirë nga afër si aktivist e si njeri, jam i bindur se ai do të prijë përgjegjshëm e me plot përkushtim në rolin e ri.
Jemi me fat që kaq shumë të rinj e të reja e kanë zgjedhur fillimisht aktivizimin politik si angazhim; e po ashtu LDK-në si adresë të këtij angazhimi. Ndaj tyre kemi obligimin e krijimit të hapësirës e përfshirjes në çdo nivel vendimmarrës.
Këshillit të Përgjithshëm e Kryesisë së re të Forumit tonë u uroj punë të mbarë. Do të kenë mbështetjen e plotë timen e të bashkëpunëtorëve tjerë në LDK. Kryetarit të deritanishëm, Fidan Rekaliut, Kryesisë e Këshillit të Përgjithshëm tashmë të kaluar, u shpreh falënderimet për punën e deritanishme në Forum.