Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se edhe shefi i tij i partisë, Ramush Haradinaj, sa ka qenë kryeministër ka punuar për marrëveshjen që u arrit me MCC-në.
Duke thënë se partia e tij e përshëndet nënshkrimin e kësaj marrëveshje nga Qeveria e Kosovës, Lekaj tha se kanë shpresuar se paratë e fituara do të shkonin në ndërtimin e gazsjellësit amerikan.
“Qeveria mirë do të ishte ta kishte pranuar menjëherë këtë marrëveshje e jo pas presioneve të vazhdueshme që ia kemi bërë. Por, më mirë vonë se kurrë. Sidoqoftë, kjo marrëveshje është sukses i përbashkët pasi ishte korriku i vitit 2019 kur kryeministri Haradinaj kishte nënshkruar draft-marrëveshjen me drejtoreshën e MCC, edhe pse ne kemi shpresuar që ky grant do të shkonte për ndërtimin e projektit amerikan të gazsjellësit”, u shpreh Lekaj.
Sipas Lekajt, implementimi i projektit me MCC është shumë i mirë dhe vjen në një momentum shumë të mirë për vendin, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me fuqizimin e sektorit të energjisë, “kur kemi parasysh krizën që po kalojmë në këtë sektor”.