Federata e Futbollit e Kosovës ka ndërmarrë hapa të menjëhershme pas rasteve të fundit që kanë rrezikuar shëndetin e futbollistëve gjatë ndeshjeve kampionale.
Presidenti Agim Ademi ka zhvilluar një takim pune me Këshillin Mjekësor të FFK-së për të analizuar situatën dhe për të avancuar strategjinë mbrojtëse për sigurinë e futbollistëve, ka njoftuar FFK.
Futboillisti i Gjilanit, Oltion Bilalli, po vazhdon të trajtohet në spital pas lëndimit të rëndë që ka pësuar derisa po zhvillohej ndeshja kundër Malishevës. Atij tashmë i është kthyer vetëdija e plotë. Përplasja në tokë i kishte shkaktuar gjakderdhje në kokë futbollistit. Kjo situatë ka lëvizur shtëpinë kryesore të futbollit në vend.
“Pas shqetësimeve të ngritura lidhur me rastet e fundit të rrezikimit të shëndetit të futbollistëve gjatë ndeshjeve kampionale, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka mbajtur një takim pune me Këshillin Mjekësor të FFK-së. Ky takim kishte për qëllim të rishqyrtojë në mënyrë të thelluar dhe të avancojë strategjinë gjithëpërfshirëse të federatës për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së sportistëve. Presidenti Ademi ka kërkuar qartë dhe prerë që Këshilli Mjekësor të paraqesë propozime konkrete, të bazuara në praktikat më të mira ndërkombëtare, për forcimin e masave preventive dhe emergjente. Po ashtu, është kërkuar që të fillojnë pa vonesë të gjitha përgatitjet teknike, logjistike dhe profesionale për zbatimin efektiv të këtyre masave në të gjitha nivelet e garave. FFK e konsideron shëndetin e futbollistëve primar dhe është e vendosur të veprojë me përgjegjësi maksimale për të garantuar siguri të plotë në fushën e lojës”, ka theksuar FFK. “Ky angazhim do të shoqërohet me masa konkrete, kontrolle rigoroz dhe bashkëpunim të ngushtë me profesionistët e mjekësisë sportive, për të ndërtuar një sistem që vendos jetën e sportistëve mbi çdo gjë tjetër”.
LEXO EDHE: