Lëvizja Vetëvendosje gjobitet me 11 mijë euro nga PZAP-ja

Lëvizja Vetëvendosje gjobitet me 11 mijë euro nga PZAP-ja

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje, me gjobë prej 11 mijë eurosh, në dy raste të ndara.

PZAP-ja ka njoftuar se këto vendime janë marrë në seancën e panelit të mbajtur dje.

Në rastin e parë, Vetëvendosja është dënuar me 5 mijë euro, pas aprovimit të ankesës së parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës për shkak të siç thuhet në njoftimin e PZAP-së, të ndeshjes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatës, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt.

Në njoftimin e PZAP-së thuhet se në ankesën nga PDK-ja, thuhet se kandidatja për deputete nga radhës e VV-së, Albena Reshitaj ka publikuar një fotografi në Facebook, në një nga tubimet e mbajtura të Vetëvendosjes, në të cilën shihet një parrullë e vendosur nga simpatizantët dhe mbështetësit e VV-së, e që siç thuhet në ankesë, ka gjuhë e cila nxit urrejtje, ofendim, denigrim dhe shpreh ngjyrime përçmuese për partitë kundërshtare të VV-së.

Edhe në rastin e dytë të dënimit të Vetëvendosjes, ankesa është dërguar nga Partia Demokratike e Kosovës, ankesë kjo që u pranua dhe VV-së iu shqiptua gjoba prej 6 mijë eurosh.

Në ankesë thuhet se kandidati i VV-së për deputet, Haxhi Avdyli ka postuar një video një Facebook, me tekst shoqërues, që është realizuar brenda Klinikës së Neurologjisë, ku provokohet numri i listës, me të cilin ai kandidon, si person që mban pozitë publike, siç thuhet në ankesë, ka shfrytëzuar këto ambiente me qëllim të përfitimit të votave. /Gazeta Enigma

Related Articles