Shkruan Prof. dr. Sadik Haxhiu
Puna hulumtuese e bërë nga autori i këtij libri që nga periudha e pasluftës e deri më sot tregon se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi ndërkomunal për komunën dhe qytetarët e saj.
Duke përdorur metoda bashkëkohore të hulumtimit, autori ka bërë një hulumtim të thuktë, konciz, preciz për rolin e bashkëpunimit ndërkomunal në Republikën e Kosovës dhe bashkëpunimin me komunat jashtë Republikës së Kosovës.
Në këtë libër është paraqitur në mënyrë kronologjike bashkëpunimi ndërkomunal që nga paslufta e më tutje; si është i rregulluar ky bashkëpunim me ligje dhe akte të tjera juridike dhe sa kanë hapësirë komunat ta bëjnë një gjë të tillë. Përveç Kosovës, në aspektin krahasues janë paraqitur shembuj konkretë të organizimit dhe bashkëpunimit ndërkomunal në disa shtete të Evropës si dhe në Shtete të Bashkuara të Amerikës.
Autori ka bërë hulumtim praktik në terren duke përdorur metodën e anketës, përmes së cilës ka realizuar një pasqyrim të qartë se sa qytetarët janë të informuar për bashkëpunimet ndërkomunale si dhe sa janë të rëndësishme këto bashkëpunime për komunitetin.
Kryetarët e komunave janë raste konkrete që tregojnë se sa u japin rëndësi bashkëpunimeve ndërkomunale në Republikën e Kosovës si dhe me komunat jashtë shtetit, duke krahasuar dhe konstatuar se sa janë të rëndësishme këto bashkëpunime për qytetarët e tyre.
Përmes këtij hulumtimi autori ka arritur të paraqesë se si është e organizuar qeverisja e pushtetit lokal në Republikën e Kosovës; si organizohet dhe funksionon pushteti lokal; si ka rrugëtuar reforma e administratës publike në Kosovë nga viti 1999/2000 e deri më tani; cilat janë kompetencat dhe autorizimet e pushtetit lokal; si mund të realizohen bashkëpunimet ndërkomunale; cilat hapa duhet të ndërmerren për përmirësimin e jetës së qytetarëve; cili është dallimi i realizimit të bashkëpunimeve ndërkomunale në mes të Republikës së Kosovës dhe vendeve të tjera të Evropës dhe ShBA-së.
Autori i këtij libri ka paraqitur përvojat e kryetarëve të komunave në Republikën e Kosovës të cilët tregojnë për përvojat e tyre me bashkëpunimet ndërkomunale, si dhe sa janë të rëndësishme ato bashkëpunime dhe si realizohen.
Ky libër do të jetë një shembull i mirë për të gjitha atë që studiojnë organizimin dhe funksionimin e qeverisjes lokale, të administratës së pushtetit lokal, për t’u mirinformuar se si funksionojnë bashkëpunimet ndërkomunale si dhe cilat janë hapat që duhet të ndërmerren për t’u realizuar një bashkëpunim i tillë.