Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas njoftimit të sotëm nga minsitrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, se prindërit edhe sivjet do të duhet ti blejnë vet librat për nxënësit, ndërkohë që më vonë do të rimbursohen nga Qeveria.
Abidxhiku tha se “në shtetin e fundit për nga PISA, Qeveria me 51% pushtet e 12 miliardë euro buxhet, nuk arrin asnjëherë të nisë vitin shkollor mbarë”.
“Sivjet, sikurse vjet, Ministria e Arsimit, në i thënshin ashtu, nuk arrin t’i sigurojë librat për nxënësit. Sikurse vjet, edhe sivjet, prindërit do të maltretohen në radhë të gjata, në procedura të panevojshme burokratike subvencionimi, e përfundimisht dhe në pamundësi blerjeje me kohë të teksteve shkollore për fëmijë”, shkroi deputeti në një postim në Facebook.
“PAAFTËSIA KUSHTON! POPULLIZMI KUSHTON!”.
“Prandaj injorojeni propagandën. Shihni problemet elementare me të cilat ju lënë të vetëm në hall. Sa larg jemi nga reforma, kur as edhe një vit të vetëm shkollor nuk arrinë ta nisin mbarë!”, u shpreh tutje i pari i LDK-së.
Ai i siguroi qytetarët se “ky është viti i fundit” që familjet, prindërit e fëmijët kosovarë përjetojnë “një maltretim të tillë”.
Abdixhiku premtoi se viti i ardhshëm shkollor do të nisë me “koeficient 150 për mësimdhënësit tanë, e me tekste shkollore të siguruara nga shteti për nxënësit e Kosovës”.
“Ky është zotimi im! Paga të dinjtitetshme, tekste falas para bankave!”, përfundoi Abdixhiku. /Gazeta Enigma