Janë publikuar të tjera dëshmi që hedhin dritë mbi përpjekjet e dëshmitarit të EULEX-it, Nazim Bllaca, për të dalë nga burgu përmes presioneve, shantazheve dhe lidhjeve të dyshimta me figura të drejtësisë – përfshirë edhe prokurorin serb për krime lufte, Dragolub Stankoviq.
Edhe pse i dënuar për vrasje, Bllaca këmbëngulte të lirohej nga Burgu i Dubravës.
Për këtë qëllim, ai vazhdimisht i dërgonte email Stankoviqit, duke i paraqitur kushte të rënda të burgimit përmes fotove të qelisë së tij.
Në një prej komunikimeve, ai shprehej i revoltuar për faktin që, sipas tij, drejtoria e burgut vepronte sipas udhëzimeve të Sami Lushtakut, i cili ndodhej në një tjetër pavijon të po këtij burgu.
“Drejtoresha vepron çka i thotë Sami Lushtaku që është në Dubravë, ndërsa drejtori i pavijonit ku jam unë është nga Drenica – Arben Sejdiu – Runik, Serbica,” – thuhet në një nga dokumentet që lexohen në emision.
Duke e konsideruar veten “dëshmitar të një procesi të profilit të lartë”, Bllaca përpiqej të ushtrojë presion edhe mbi prokurorët e EULEX-it, duke i kërcënuar se do të tërhiqej nga rasti “Bllaca 4” nëse nuk lirohej.
Në një audio-incizim të publikuar, dëgjohet sesi ai akuzon drejtësinë se vepron sipas vendimeve politike dhe përmend ish-presidentin Hashim Thaçi si përgjegjës për vendimin që e mban pas grilave: “Ky vendim është politik! Mbrapa tij qëndron Hashim Thaçi… Unë nuk shtyhem asnjë milimetër…”
Në këtë klimë presioni, prokurorët e EULEX-it ndërmarrin një “operacion” me qëllim që të gjejnë një rast ku dikush është liruar nga burgu me gjysmën e dënimit, e jo me dy të tretat, si precedent për të kërkuar lirimin e Bllacës.
Në një tjetër audio-incizim, dëgjohet një zyrtare e EULEX-it duke kërkuar ndihmën e Bllacës për të gjetur një rast të tillë, sepse nëse e bëjnë vetë, “ka rrezik të dekonspirohen”. “Nuk guxojnë bre paneli me liru Bllacën kurrë, se dinë çka i gjen familjen e tyre,” – dëgjohet të thotë vetë Bllaca në një nga incizimet e tij.
Për më tepër, në një komunikim të datës 30 shtator 2015, në ditën që lirohet nga burgu, Bllaca e njofton menjëherë Dragolub Stankoviqin me fjalët: “Përshëndetje nga Bllaca. Sot kam dalë nga burgu. Dua të takohem me ju, zoti Dragi.” Përgjigjja e Stankoviqit ngre shqetësime serioze: “OK. Urime. Do të të lajmërohem kur të vij në Prishtinë.”
Pra, Stankoviqi pranon se ka planifikuar të vijë në Prishtinë, duke konfirmuar dyshimet e mëhershme për takime të mundshme me figura të drejtësisë ndërkombëtare apo lokale.
Pak më herët, në një tjetër email, Stankoviq i kërkon Bllacës që të tregojë planet e tij dhe marrëveshjet me kolegët e EULEX-it për zbardhjen e “krimeve të UÇK-së”: “Të lutem më shkruaj gjerësisht në gjuhën shqipe për planet tua dhe marrëveshjet që ke tash me kolegët e mi të EULEX-it – për çka jeni marrë vesh dhe cili proces mund të ndihmoni ju të zbardhen krime të UÇK.”
Ky komunikim i fundit zbardh përfundimisht prapaskenat e një rrjeti të dyfishtë bashkëpunimi, ku Bllaca, ndërkohë që paraqitej si dëshmitar kyç për EULEX-in, mban komunikim aktiv me drejtësinë serbe, përfshirë këshilla, kërkesa, kërcënime dhe koordinime për çështje penale me ndjeshmëri të lartë politike dhe kombëtare.