Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si shumë të mirë lajmin se Gjykata Kushtetuese e ka shpallur anti-kushtetues Ligjin për Komisionin e Pavarur të Medieve.
PDK-ja në reagim tha se Kushtetuesja vërtetoi edhe një herë se pushtetit në ikje e ka shkelur Kushtetutën.
“Vendimi për ta shpallur Ligjin nr. 08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave si anti-kushtetues është dëshmi e qartë se qeverisja e kaluar e ka përdorur shumicën parlamentare për të kapur institucionet e pavarura, në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe demokratike”.
“Ky nuk është rasti i parë që Gjykata Kushtetuese e rrëzon një ligj të këtij pushteti në ikje. Me këtë qasje anti-kushtetuese kanë qeverisur – dhe me të edhe po ikin”, thuhet në reagim.
Tutje, PDK-ja tha se e mirëpret këtë vendim dhe riafirmon zotimin e tyre për të garantuar liri të medieve, pavarësi institucionale dhe sundim të ligjit.
“Koha e kapjes së shtetit po mbaron. Kosova mundet ma mirë”, thuhet në reagim.