Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL – UÇK) kanë nisur takimin me presidenten Vjosa Osmani.
Në këtë takim ata pritet të diskutojnë për ligjin e pagës minimale, dhe mospërfshirjen e veteranëve në atë ligj.
Ligji parasheh që paga minimale në Kosovë të arrijë vlerën e 264 eurove bruto për të gjithë të punësuarit, në sektor publik e privat.
Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.
Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.
Ky ligj ka hasur në kundërshtime të mëdha nga ana e veteranëve të luftës, për shkak se ligji nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën.
Të shtunën e kaluar veteranët kanë protestuar në kundërshtim të miratimit të ligjit nga Kuvendi i Kosovës. Në protestë ata kërkuan nga presidentja Osmani që të mos e dekretojë atë ligj.