Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit të Pagave i kanë mbetur edhe dy ditë për adresim në Gjykatën Kushtetuese.
Kësisoj sipas Tahirit, AAK-ja nuk do ta dërgojë Ligjin e Pagave në Gjykatën Kushtetuese derisa nuk dihet vlera e koeficientit.
Rrjedhimisht, ai tha ai ligj nuk shkon në atë instancë derisa nuk kuptohet sa është rroga e një zyrtari publik.
“Ky ligj, nuk duhet, edhe një herë të kthehet në pikën zero, pasi që rrezikon të prodhojë pasoja të pariparueshme, por duhet gjithësesi të kontestohen në Gjykatë së paku dy probleme: 1) ulja e pagave në Sistemin e Gjyqësorit dhe 2) diskriminimi i administratës publike i komunave në raport me rritjen e pagave dhe kategorizimin e të emëruarve politikë. Të dy pikat janë çështje serioze për Gjykatën Kushtetuese”, shkroi ai në Facebook.
Por për Tahirin, Ligji për Zyrtarët Publik duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese tash, pasi shtoi se i njëjti vendos kontrollin partiak mbi administratën, duke rrezikuar në plotësi reformat, me shpërfillje ndaj komenteve të SIGMA-së dhe BE-së.
“Me këtë rast, AAK është në koordinim dhe i bashkohemi bllokut opozitar për të ngritur çështje kushtetuese, e për ta kthyer në binarë këtë proces”, shtoi Tahiri.