Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, në një deklaratë për media ka thënë që për tema nacionale është gjithmonë i gatshëm të takohet me kryeministrin e Kosovës pavarësisht se kush është dhe nga vjen, raporton Gazeta “Enigma”.
“Ne në një kohë kemi qenë të kritikuar shumë, dhe shpesh pa arsye, sepse nuk është kuptuar për çka po flasim. Brenda 24 orëve, kur më thërret Kryeministri i vendit tim, qoftë ai nga opozita apo nga pozita, për tema nacionale, unë jam aty, sepse nuk kam një Kosovë rezervë”, është shprehur Limaj në Rubikon.
“Unë në politikë nuk shkoj me inate personale. Nëse nuk jam unë që po i vendos gjërat, kur ka tema nacionale, prapë unë ulem në tavolinë”.
Limaj tha se a pajtohet në ato diskutime është temë tjetër, por është jetike që të marrë pjesë.
“Edhe sot po e them: për çështje nacionale, kurdo që të më ftojë Kryeministri i vendit tim – kushdo qoftë ai që ka mandatin legjitim nga ky popull, unë ulem në tavolinë.
“A pajtohemi apo jo, është temë tjetër. Unë shkoj, i mbroj qëndrimet e mia dhe mundohem të jap këshillat e mia, sepse jemi duke folur për të njëjtën tokë, për vendin tonë”.
Në mesin e shumë çështjeve u fol edhe për zgjedhjen e Dimal Bashës, në krye të Kuvendit, për të cilin ai tha se nuk e njeh si të tillë.
“Për mua z. Basha nuk është kryetar i Kuvendit. Nuk e pranoj. Ai është i zgjedhur që të jem i qartë, unë nuk e pranoj për kryetar të Kuvendit. Nuk kam asgjë me personin privat të tij, por këtu duhet të kemi një standard”.
“Ai duhet të dalë e të thotë se kjo ka qenë gabim dhe duhet të kërkohet dorheqja e tij nga ata që e votuan”.