Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, ka reaguar pas dështimit të radhës për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, duke e vlerësuar situatën si të ndryshuar krahasuar me një ditë më parë, për shkak të përfshirjes së presidentes Vjosa Osmani në këtë proces, shkruan Gazeta Enigma.
“Besoj që ka zhvillime të reja nga dje. Kjo punë shkoi gjatë, saqë u detyrua të përfshihet edhe presidentja. Nga dje është situatë tjetër. Kërkesa e presidentes ndihmon procesin, jo vetëm për konstituimin por edhe për të ardhmen, sepse aktgjykimi ka lënë zbraztira,” deklaroi Limaj.
Ai theksoi se është në interesin e partive politike që të arrijnë një marrëveshje të plotë e të qëndrueshme, duke kritikuar zgjidhjet e pjesshme.
“Qëndrimi i Nismës është i qartë: Ne nuk besojmë në zgjidhje parciale. Ne nuk duam të kontribuojmë në zgjidhje të tilla,” u shpreh ai.
Sa i përket diskutimeve mes partive, Limaj tha se në tryeza ka disa opsione në diskutim, por nuk mund të flitet për ndonjë marrëveshje të mundshme pa u konkretizuar.
“Në tavolina ka opsione, mirëpo nuk mund të them asgjë derisa nuk ka asgjë konkrete,” shtoi ai.