Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se rezultati zgjedhor i ka paralajmëruar se do të ketë një situatë politike siç është aktualisht.
Sipas Limajt, qytetarët kanë votuar dhe porosia e tyre ka qenë që për të qeverisur vendin duhet një marrëveshje politike, duhet bashkëqeverisje.
“E kuptueshme që menjëherë pas procesit zgjedhor, me atë situatën e gjaknxehjes së fushatës elektorale, por pastaj kam pritur që forcat politike ta interpretojnë drejtë rezultatin zgjedhor. Të ulën dhe të gjejnë zgjidhje, për ta ndërtuar një marrëveshje politike e cila do t’i jepte vendit institucione”, tha Limaj në Rubikon.
Tutje, ai u shpreh se aktualisht janë dy mundësi, ku sipas tij, e para është që forca e parë politike, Lëvizja Vetëvendosje, të gjejë partner qeverisës, dhe varianti i dytë, sipas tij, është që opozita e deridjeshme t’ia ofrojë vendit një alternativë.
“Mundësia e parë është që forcat politike ashtu siç e kërkon, partia e parë nga shqiptarët por edhe e drejta ligjore i takon që t’i bëjë veprimet e para për të tentuar për të ndërtuar një shumicë parlamentare që do të garantonte institucionet e vendit dhe partia e parë duhet të gjejë partner”.
“Dhe varianti i dytë, nëse ish-opozita, nuk është e interesuar, siç është e deklaruar, që në asnjë variantë të jetë me ata që kanë qenë deri sot në pushtet në një marrëveshje politike, atëherë të bëjë hapa të tjerë për t’ia ofruar vendit një alternativë”, tha Limaj.
Limaj u shpreh se ka pasur lëvizje nga të dyja kampet, por sipas tij, kanë munguar veprimet konkrete që do të çonin në kurorëzimin e një marrëveshjeje politike.