Një ngjarje e jashtëzakonshme ka ndodhur në Australi, në pjesën e Tasmanisë, ku pas plot 3 mijë vjetëve, ka lindur djalli i parë i Tasmanisë – ndër kafshët më të rrezikuara në botë, duke ngjallur shpresë për shtimin e numrit të tyre.
Ishin shtatë këlyshë të lindur të kësaj specieje.
Mishngrënësit marsupialë më të mëdhenj në botë, ishin thuajse në shfarosje për shkak se ishin preja kryesore e dingove, një lloj qeni i egër, origjinar i Australisë. Që prej asaj kohe, ato u izoluan në ishullin e Tasmanisë.
Numri i tyre ra në më pak se 25 mijë. Por, tashmë, shpresa është ringjallur për shtimin e tyre.
“Ka shumë në rrezik këtu”, deklaroi Tim Faulkner, president i grupit konservator për florën dhe faunan, Aussie Ark. “Kemi bërë çfarë kemi mundur, por nëse djajtë nuk çiftohen, gjithçka merr fund”.
Sipas kësaj organizate, shtatë këlyshët ishin në gjendje shumë të mirë shëndetësore. 26 të rritur u lëshuan në liri në fund të vitit 2020. Pikërisht prej çiftimit të dy prej tyre, kanë lindur shtatë këlyshët.
Tashmë, pritet të shihet se si do të vijojë mbarështimi i tyre. Një mbarështim, i cili ka ngjallur shpresë për vijimësinë e jetës së djajve të Tasmanisë.