Liqeni i Ujmanit dhe mali Mokna janë vënë nën mbrojtje paraprake.
Kështu ka bëtë të ditur zëvendësministri në detyrë i infrastrukturës, Hysen Durmishi përmes një postimi në Facebook.
Ai e ka cilësuar edhe si një nga vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në vendin tonë.
Njoftimi i plotë nga Durmishi:
Kemi vënë nën mbrojtje “Malin Mokna dhe Liqenin e Ujmanit”.
Të dashur qytetarë, javën e kaluar kam nënshkruar vendimin për mbrojtje paraprake të “Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit”, një nga vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në vendin tonë.
Me këtë vendim, Republika e Kosovës bëhet shteti me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje të natyrës në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Pas një studimi njëvjeçar në terren, është konstatuar se kjo zonë përbën pasuri të rrallë natyrore, me biodiversitet të pasur dhe peizazhe me rëndësi të veçantë ekologjike e shkencore.
Zona me sipërfaqe prej 192.19 km² tashmë vihet nën mbrojtje paraprake, duke e ngritur në 12.4% përqindjen e territorit të Kosovës që mbrohet ligjërisht.
