Platforma “Liria ka Emër” ka publikuar një video ku njofton për një marsh me motorra që do të zhvillohet nga Prishtina drejt Hagës.
Në video, ideatori i platformës, Ismail Tasholli, shpjegon detajet e këtij udhëtimi.
“Më 15 tetor, Platforma Liria ka Emër nis marshin me motorra nga Prishtina drejt Hagës,” thuhet në video.
Marshi do të kalojë nëpër disa qytete të Evropës, duke i dhënë mundësinë mbështetësve që t’i bashkohen përgjatë rrugës.
Sipas planit, më 17 tetor pjesëmarrësit do të mbërrijnë në Cyrih të Zvicrës, për të vazhduar më tej drejt destinacionit përfundimtar, ku më 19 tetor pritet të arrijnë në Hagë.
“Ky nuk është vetëm një udhëtim me motorra, por një zë i fuqishëm për lirinë,” theksohet në fund të videos.