Sport Club “Gjilani” ka shënuar fitore të thellë ndaj Drenicës në kuadër të xhiros së 28-të në Superligën e Kosovës në futboll.
“Kuqebardhët” triumfuan me rezultatin 5-0 ndaj “kuqezinjve”, shkruan Gazeta Enigma.
Golat për gjilanasit i realizuan Keita Razak, Donjet Shkodra, Blerim Krasniqi, Gerhard Progni dhe Shkëlzen Lushtaku i Drenicës i cili shënoi në portën e gabuar.
Pak para ndeshjes Gazeta Enigma kishte raportuar ekskluzivisht se gjyqtari i katërt Lirim Jashri është tërhequr nga delegimi për këtë ndeshje.
E për këtë lajm ka reaguar vetë gjyqtari Jashari, i cili përmes një e-maili të dërguar në redaksinë e Gazetës Enigma ka sqaruar se ai është larguar nga ndeshja në fjalë prej Komisionit të Delegimit në FFK dhe e kanë deleguar në ndeshjen Feronikeli – Drita.
Gjithashtu, Jashari ka theksuar se nuk ka frikë nga askush, asnjë ndeshje dhe asnjë klubit.
Për hir të korrektësisë, redaksia e gazetës “Enigma” do ta publikojë reagimin e plotë të Jasharit:
Pershendetje,
Shpresoj që ky email t’iu gjejë mirë!
Une jam Lirim Jashari , gjyqtar i futbollit të Superligës së Kosovës.
Sot me datë 09.04.2022 keni bërë një shkrim të pa bazë dhe të pavërtetë , se kinse unë jom tërheqë nga ndeshja S.C Gjilani – K.F Drenica , gjë e cila është nuk qëndron, e aq më pak se unë jam tërheqë për arsye të kaluarës time në ndeshjen S.C Gjilani – K.F Ulpiana . E verteta qëndron krejtësisht ndryshe.Unë jam larguar nga ndeshja në fjalë dhe jam deleguar në ndeshjen Feronikeli – Drita prej Komisionit të Delegimit në FFK , dhe këtë mund ta vertetoni duk komunikuar me komisionin në fjalë. Për largimin dhe ndryshimin e ndeshjes jemi njoftuar përmes Email mbrëmë në orën 21:55 nga Komsioni i Gjyqëtarve të Futbollit . Dhe nuk kam frike nga askush, asnjë ndeshje dhe asnjë klub. Permes këtij email-i kërkoj nga ana juaj të dilni me një shkrim dhe të kërkoni falje publike për përdorimin e emrit dhe imazhit tim, përndryshe shihemi në gjykatë.
Me respekt:
Lirim Jashari
Prishtinë
09.04.2022
Gazeta “Enigma” siguron Jasharin dhe gjithë opinionin publik se ka dëshmi të tjera të cilat mbështesin informacionin e publikuar më datë 9 prill 2022, duke përfshirë edhe konfirmimin e një anëtari për delegimin e gjyqtarëve. /Gazeta Enigma/