Katër të lënduarit nga aksidenti i rëndë që ndodhi në mesnatë mes veturës së Policisë së Kosovës dhe të një taksie në Prishtinë, janë liruar nga Klinika Emergjente e QKUK-së pas trajtimit shëndetësor.
Lajmin për rtk e ka konfirmuar zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla. “Personat e aksidentuar ditën e djeshme me 4 janar 2026 janë paraqitur për trajtim mjekësor në Kliniken Emergjente te QKUK. Pas ekzaminimeve dhe ofrimit të trajtimit mjekësor gjendja e tyre shëndetësore është vlerësuar stabile nga mjekët. Te gjitha rastet e te aksidentuarve janë liruar nga klinika emergjente e QKUK-së”.
Ndërsa nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se ende nuk dihen shkaqet se si ka ardhur deri tek aksidenti, por që janë duke mbledhur edhe pamje nga kamera të tjera si prova lidhur me këtë rast.
