Lirohet nga akuza drejtoresha e Inspeksionit në Gjilan, Entela Hyseni

Lirohet nga akuza drejtoresha e Inspeksionit në Gjilan, Entela Hyseni

Drejtësia ka thënë fjalën e saj në lidhje me rastin ndaj drejtoreshës së Inspeksionit në Komunën e Gjilanit, Entela Hyseni, e cila është liruar nga aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të Komunës së Gjilanit, vendimi i gjykatës konsiderohet si një konfirmim i integritetit dhe profesionalizmit të Hysenit, e cila u përball me një proces që nga mbështetësit e saj është cilësuar si i padrejtë dhe politikisht i motivuar.

E përshkruar si një profesioniste e re, e ndershme dhe e guximshme, Hyseni ka dalë më e fortë nga ky sfidim, duke riafirmuar përkushtimin e saj ndaj shërbimit publik dhe qeverisjes me integritet.

“Çdo tentativë për ta njollosur atë dhe qeverisjen e pastër që përfaqësojmë është e destinuar të dështojë”, thuhet në një reagim pas lirimit të saj, duke shtuar se drejtësia dhe e vërteta janë në anën e atyre që veprojnë me ndershmëri dhe përkushtim ndaj qytetarëve.

Ky vendim është pritur me lehtësim nga përkrahësit e Hysenit dhe bashkëpunëtorët e saj në Komunën e Gjilanit, të cilët e kanë cilësuar këtë si një fitore jo vetëm për të si individ, por për gjithë ata që besojnë në një administratë të ndershme dhe transparente.

Related Articles