Rada Trajkoviq, kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, e cila ishte ndalur sot nga policia serbe në pikëkalimin kufitar Kosovë-Serbi, përkatësisht në Merdarë, është liruar dhe i është lejuar të futet në Kosovë, pasi autoritetet serbe kryen kontroll të detajuar te ajo.
Siç thotë ajo ishte duke shkuar në një takim me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hoovenier.
Kujtojmë që arsyeja pse ishte ndalur dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë, siç thotë ajo ishte pritja e një vendimi të marrë nga Beogradi se kinse për të ka një “lloj ndalese”.
“I kam dorëzuar dokumentet dhe ata më hoqën nga komunikacioni, pritëm 10 minuta dhe më pas u nisa për t’i pyetur se për çfarë bëhet fjalë, për faktin se veturat e tjera kalonin krejt lirshëm… Ata thanë se po presin vendimin e Beogradit, dhe se për mua është ngritur një lloj ndalese apo duhet të më bëjnë një tretman të veçantë dhe nuk po më japin dokumentet”, tha Trajkoviq.
“Tani po qëndrojmë akoma këtu, kanë kaluar dy orë e gjysmë. As nuk po hyjnë e as nuk po dalin”, tha orë më parë Trajkoviq.
Ajo pranoi se policia serbe i kanë bërë një kontroll të detajuar veturës – duke analizuar çdo detaj. Megjithatë në fund është liruar dhe ajo është futur në Kosovë.