Lista Serbe i është kundërpërgjigjur ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, që të hënën u shpreh se partia më e madhe serbe në Kosovë nuk duhet të qëndrojë e heshtur për sulmin e së dielës ndaj Policisë së Kosovës në veri, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Rohde i kërkoi Listës Serbe të dalë me qëndrim kundër sulmit, megjithatë kjo parti, nënkryetarit të së cilës, Milan Radojiçiq, iu gjetën dokumente në mes të arsenalit të armëve që ka kapur Policia, ka hedhur akuza ndaj Qeverisë së Kosovës, duke mos dënuar sulmin ndaj Policisë.
“Në emër të Listës Serbe dhe të gjithë popullit serb nga Kosova shprehim ngushëllimet më të thella për familjet e serbëve të vrarë dhe policit në ngjarjen tragjike të djeshme në fshatin Banjskë në Zveçan. Po ashtu, ne themi se do të kërkojmë hetim për vrasjen e të paktën dy serbëve që u vranë gjakftohtësisht, edhe pse ishin të dorëzuar. Pyesim komunitetin ndërkombëtar përse EULEX-i nuk mori pjesë në operacion, por vetëm policia e Kurtit?” thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Lista Serbe “ka bërë thirrje për përmbajtje”, duke kërkuar urgjentisht që KFOR-i e EULEX-i të “parandalojnë përshkallëzime të mëtejme të situatës në veri dhe të parandalojnë abuzime politike”.
“Për më shumë se një vit, kemi paralajmëruar se regjimi në Prishtinë po bën presion ndaj serbëve dhe çdo ditë po përshkallëzon situatën e po provokon reagim të qytetarëve. Kemi kërkuar pa kufij herë nga KFOR-i që t’i vendosë forcat dhe të veprojë për parandalim, kemi kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të ndalë Kurtin, kemi bërë gjithmonë thirrje për paqe… por e kotë. Fatkeqësisht, ndodhi ajo që ëndërronte Kurti”, thuhet në reagim.
Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar katër sulmues të vrarë e gjashtë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.