Përfaqësues të Listës Serbe janë mbledhur në një takim urgjent, siç e quajtën ata, në Fakultetin e Shkencave Teknike në veri të Mitrovicës, të enjten, më 12.02.2026.
Të pranishëm ishin edhe kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Republikën e Kosovës dhe përfaqësues të fushës së shëndetësisë dhe arsimit që financohen nga buxheti i Serbisë.
Në këtë takim u diskutua zbatimi i Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, e po ashtu integrimi i sektorit të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Republikës së Kosovës.
Zbatimin e tyre e kundërshtuan njëzëri të pranishmit me arsyetimin se do të rrezikohen të drejtat themelore të njeriut, mbi të gjitha të drejtën për jetë, trajtim, arsim, strehim dhe gëzim të lirë të pronës.
Përmes deklaratës që u tha nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Ivan Zaporozaq, pozicioni i këtyre institucioneve, sipas tij, duhet të zgjidhet nga dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës përmes krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Jemi absolutisht kundër veprimeve të dhunshme, të njëanshme dhe çdo veprimi tjetër që do të kërcënonte funksionimin e këtyre dy sektorëve”- tha ai.
Zaporozaq tha se LS mirëpret përpjekjet e forta dhe të vazhdueshme të vendeve të QUINT-it për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejtë për problemet që sipas tij kanë lindur.
“Ligjet ekzistuese janë absolutisht kundër interesave të popullit tonë dhe duhet të ndryshohen. Njëkohësisht, kërkojmë që punonjësve dhe studentëve që vijnë për të punuar dhe studiuar brenda sistemit arsimor dhe shëndetësor në këto zona t’u lejohet hyrja dhe qëndrimi i papenguar gjatë procesit të punës dhe studimit, gjë që vërtetohet me dokumente përkatëse të lëshuara nga institucionet kompetente arsimore dhe shëndetësore”- tha ai.
Thirrja e tij është që qytetarëve t’u krijohen lehtësira të përshtatshme ligjore, administrative në procesin e marrjes së dokumenteve personale.
“Kërkojmë që të gjithë qytetarëve t’u garantohet e drejta për gëzim të qetë dhe të papenguar të pronës së luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe e drejta për të përdorur automjete, me zbatimin e lehtësirave të përshtatshme ligjore dhe të tjera, pa diskriminim dhe pasiguri ligjore për të gjithë ata qëjetojnë në territorin e Kosovës dhe Metohisë”- potencoi ai.
Për të miratuar këtë deklaratë, të gjithë të pranishëm ngritën duart lart dhe duartrokitën.
Kujtojmë se nga mesnata e 16 janarit, ka nisur zbatimi i Ligjit për automjetet, sipas të cilit automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj ose mbi bazën e autorizimit.
Përveç tij, ka nisur zbatimi i Ligjit për të huajt sa u përket dokumenteve personale që nënkupton se të gjithë ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve.
Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare në Kosovë do të pajisjen me materiale informuese rreth procedurave dhe rregullave specifike.
Më 18.09.2025, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kishte dërguar mesazh serbëve të Kosovës duke thënë se ata meritojnë “qasje të barabartë në të mirat e përbashkëta” dhe se sistemi paralel i arsimit dhe shëndetësisë nuk është i qëndrueshëm.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, kishte reaguar ndaj deklaratave të Kurtit, duke theksuar se “kërcënimet për njëfarë integrimi të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin kosovar nuk janë pjesë e asnjë negociate apo marrëveshjeje”.
