Lista Serbe ka thënë se nuk do ta votojë një mandat të ri të Qeverisë Kurti.
Në ditën e mbajtjes së seancës konstituive, e cila dështoi për shkak të mosmbështetjes së raportit për verifikim mandatesh, u raportua se deputetë të Listës Serbe mund ta votojnë Qeverinë Kurti.
“Duke marrë në konsideratë deklaratat që vijnë nga aleatët më të afërt të Kurtit, do të donim të theksojmë publikisht se përkrahja e supozuar nga deputetët e Listës Serbe është rrenë e pastër. Ndoshta është dëshirë e tyre, insinuatë apo diçka tjetër, por ne e ritheksojmë qartë dhe publikisht se është e pavërtetë”, thuhet në një reagim të kësaj partie.
“Jemi absolutisht të sigurt se përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje janë të vetëdijshëm, por rrenat që i shpërndajnë u shërbejnë për lojëra të brendshme, dhe ne prandaj i refuzojmë publikisht”.
Seanca konstitutive e Kuvendit të martën dështoi pasi nuk kaloi pika e parë e rendit të ditës. Për raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve nuk votoi opozita (PDK, LDK, AAK). Ata pretendojnë se është kundërkushtetues duke pretenduar se zyrtarët qeveritarë nuk kanë ofruar dorëheqje me kohë. Ndërsa nga VV-ja insistojnë se kanë respektuar procedurat.
Lista Serbe nuk ishte pjesë as në Qeverinë Kurti 2. Ministër nga komuniteti serb ka qenë Nenad Rashiq. Partia e tij në zgjedhjet e 9 shkurtit siguroi një ulëse. Lista Serbe ka marrë 9 të tjerat e rezervuara për komunitetin. E kjo parti ka thënë se do të “luftojë për interesat e popullit serb brenda Parlamentit në Prishtinë”.
Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar partitë tjera për certifikim të Listës Serbe për zgjedhjet e sivjetme.