Anëtari i kryesisë së Listës Serbe, Sllavko Simiq, ka pretenduar se me ligjin e ri për shpronësim, “Kosova dëshiron të legalizojë grabitjen e re të tokës serbe dhe të krijojë një krizë të re në veri të Kosovës, siç u përpoqën ta bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve jo legjitime në veri të Kosovës”.
Në një deklaratë për gazetën serbe në shërbim të regjimit të atjeshëm “Kurir”, Simiq ka thënë se “serbët nga Kosova së bashku me shtetin e tyre dhe zyrën e Petkoviqit do të përdorin të gjitha “mjetet demokratike” për ta kundërshtuar këtë ligj antiserb”.
“Prishtina është duke u përpjekur me këmbëngulje të shkaktojë tensione dhe përshkallëzim të situatës në terren përmes vendimeve të shumta që i ka zbatuar në periudhën paraprake. Në Prishtinë është duke u përgatitur drafti i ligjit të ri për shpronësimin, një ligj tjetër antiserb me të cilin Prishtina do të përpiqet në çdo mënyrë të legjitimojë atë që ka grabitur nga serbët deri më tani dhe, natyrisht, të legalizojë edhe atë që do tentojnë të grabisin edhe në të ardhmen. Përfaqësuesit politikë serbë do të jenë me popullin e tyre serb në Kosovë “siç kemi qenë deri më tani” dhe së bashku me liderin tonë shtetëror, “zyrën për Kosovë dhe Metohi” dhe ekipin ligjor që është marrë seriozisht me këtë problem, do të përpiqemi ta adresojmë këtë problem në të gjitha adresat ndërkombëtare dhe të pengojmë që ky ligj do të vijë fare në procedurë parlamentare për miratim”, ka “premtuar” përfaqësuesi i Listës Serbe./Paparaci