Lista Serbe është shprehur “thellësisht e shqetësuar” me deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili tha se është i shqetësuar me incidentin që ka ndodhur mbrëmë në veri të vendit, ku një serb është plagosur me armë zjarri.
Diplomati Hovenier tha se “SHBA-ja është e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan mbrëmë”.
“SHBA-ja është e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan mbrëmë. Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të bëjnë një hetim të plotë, e kredibil. Ne jemi shumë të shqetësuar nga mohimi fillestar që u bë pa kujdes. Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e forcave të zbatimit të ligjit dhe sektorin e drejtësisë”, ka shkruar ai në Twitter.
“Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës të sundimit të ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”.
E sipas LS-së, “në vend që të dënojë qartë tentativën për vrasjen e Milan Jovanoviqit mbrëmë në postbllokun ilegal të njësive para-policore të Kurtit në Urën e Bistricës, ai [Hovenier] është i shqetësuar?”.
Lista Serbe thotë se reagimi i Hovenierit vjen vetëm pas reagimit të tyre për incidentin e ndodhur.
Madje, nga ky subjekt politik thonë se “Milan Jovanoviq ka qenë viktimë e një sulmi të armatosur nga forcat speciale të kryeministrit Albin Kurtit, të cilët ndodhen ilegalisht në veri të Kosovës”.
Lista Serbe duke hedhur kritika thotë se deklarata e ambasadorit Hovenier është e turpshme dhe “zvogëlon përgjegjësinë e atyre që derdhën gjakun serb”.
“Për më tepër, ky nuk është rasti i parë në të cilin relativizohet sulmi ndaj serbëve dhe zvogëlohet përgjegjësia e kriminelëve. Duke vepruar kështu, është e qartë për të gjithë qytetarët tanë se ambasadorët e QUINT-it po bëjnë të kundërtën e asaj që është e nevojshme për normalizimin e marrëdhënieve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.