Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka bërë të ditur se së shpejti do të filloj procedurat për shpalljen e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj “Qytetar Nderi” i komunës së Drenasit, kjo për punën humane gjatë luftës tonë çlirimtare.
Ai tha se rasti i Begajt është ilustrim i atdhetarizmit, profesionit dhe fisnikërisë.
“Të plagosurit e UÇK-së dhe qytetarët e shumtë e merrnin përkujdesjen rrethanore në front, në spitalet e UÇK-së brenda Kosovës, apo tërhiqej i plagosuri nga fronti dhe dërgohej në Shqipëri. Adresa për të plagosurit, ishte Spitali Ushtarak, ku zëvendës drejtor ishte dr. Bajram Begaj. Përkujdesja e tij, ishte e lidhur edhe me profesionin por edhe me shtysën themelore të një personaliteti të shquar, atdhetarizmin”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.
Ai tha se derisa ishte i plagosur, kujdesin ia ofroi njësiti shëndetësor, ku zëvendësdrejtor i Spitalit Ushtarak ishte Bajram Begaj.
“Kujdesi shëndetësor ndaj meje dhe të plagosurve tjerë, ishte shembullore. Jo vetëm se ishte kujdes sipas detyrës zyrtare dhe fisnikërisë së profesionit por edhe përkushtimin atdhetar.Për këtë kujdes shembullor sa isha i plagosur e kujtoj dhe falënderoj edhe z. Dashamir Kadëna, zv. shef i ShIK-ut, z. Arben Isarai, Këshilltar për Siguri i Kryeministrit Majko dhe dr. Shaip Mujën”.
“Presidenti Begaj, jo vetëm që i njeh plagët tona, por edhe zemrën e UÇK-së, nga fillimet e saj, me lidhjen familjare në rrethana tjera edhe me Komandantin legjendar Adem Jasharin me shokë, nga viti 1991. Duke njohur kontributin e jashtëzakonshëm të presidentit Bajram Begaj gjatë luftës tonë çlirimtare, së shpejti do të filloj procedurën e shpalljes së tij “Qytetar Nderi” i komunës së Drenasit”, ka shkruar tutje Lladrovci.