Kreu i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci pak orë para mbledhjes ku do të përcaktohet kryesia e re e PDK-së, ka thënë se pret nga kryetari i subjektit, Memli Krasniqi, më të mirën që mund të prodhojë partia që ka në ADN-në e saj, UÇK-në, shtetformimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Lladrovci në Facebook ka shkruar se uron që sot të zhvillohen punime të mbara të Këshillit Drejtues.
“Uroj të zhvillohen punime të mbara të KD-së dhe të emërojë kryesi të unitetit, të përkushtimit dhe vijimit të rrugës së themeluesve të saj të prirë nga Hashim Thaçi me shokë, mbi përkushtimin dhe kontributin e anëtarëve të saj që nga okupimi, gjatë luftës çlirimtare dhe pas çlirimit të vendit”, thotë Lladrovci.
“Gjithsesi, pres nga Kryesia e re të jetë gjithëpërfshirëse, largpamëse dhe e qëndrueshme përball sfidave. Energjia pozitive e PDK-së do sa më parë të vihet në veprim, për të rikonfirmuar vlerat e saj, vizionin dhe rrugën euro-atlantike. Në këtë ditë të rëndësishme për PDK-në, uroj që të dëshmohet uniteti i domosdoshëm për të avancuar vlerat të cilat i riaformoi brenda të gjitha niveleve të organizimit partiak, ish lideri ynë, Kadri Veseli. Mbledhjes i uroj punë të mbarë dhe suksese ashtu si Këshillit Drejtues, Kryesisë së re dhe kryetarit Memli Krasniqi”, shtoi ai.