Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, s’mund ta barazojë shkakun me pasojën, pasi kjo nuk ndihmon në zhvillimin e partisë.
Një ditë më parë, Hamza mbajti konferencë për shtyp pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, duke theksuar se askush nuk e ka përjashtuar Lladrovcin nga partia dhe se me të synojnë ta maksimalizojnë votën në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Por në një postim në Facebook, Lladrovci u shpreh se disa eksponentë të PDK-së po tentojnë të paraqesin disfatën si fitore.
Ai tha se mjegulla rreth kësaj komune nuk po hiqet, pavarësisht deklarimeve të kryetarit të ri të PDK-së, Bedri Hamza, dhe theksoi se kushti i vërtetë për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë është uniteti.
Ai kritikoi përpjekjet e Hamzës për të barazuar shkakun me pasojën, duke shtuar se kjo nuk është rrugë për ta fuqizuar partinë apo degën.
Tutje, Lladrovci theksoi se PDK-ja duhet të reformojë qasjen dhe metodat e veprimit politik dhe organizativ, duke i shërbyer “gjuhës së fitimtarëve me vizion, pa kushte dhe pa hile”.
Postimi i plotë:
Uniteti është kusht i fitores për ta ndryshuar gjendjen e Kosovës
Përkundër deklarimeve të mija, të qarta si rrezja e diellit, mjegulla rreth Drenasit nuk po hiqet. Për fat të keq, nga disa eksponentë, gjendja po promovohet normale dhe disfata po paraqitet fitore.
Mësimi nga Drenasi, siç shihet, nuk pati efekt. Reflektimet në opinion nga ndonjë eksponent i lodhtë me ligjërata koti, apo nga z. Hamza që synon të barazoj shkakun dhe pasojën. Kjo nuk është rrugë për ta fuqizuar partinë as degën.
Uniteti është zotim i përkushtimit për qëllime më të larta se fati i një dege apo individi. Uniteti është kusht i fitores për ta ndryshuar gjendjen e Kosovës, e cila qëndron mbi çdo sakrificë tonën.
Situata në PDK kërkon ridefinim të qasjes dhe metodave të veprimit politik dhe organizativ. Kjo mund të bëhet duke u shërbyer me gjuhën e fitimtarëve me vizion, pa kushte dhe pa hile.
Shkurtpamësinë politike do larguar nga partia e krijuar nga heronjtë tanë të luftës dhe paqes, duke përfaqësuar breza të tërë me përkushtim atdhetar, për Kosovën shtet me vlera euro-atlantike. Ndryshe, keqbërësit e bedelët politikë do të mbesin shenjë dalluese e partisë shteformuese dhe shtetndërtuese.
