Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes gjatë lëvizjes së tyre për shkak të vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e mëdha të shiut.
Lladrovci njoftoi se disa rrugë janë të pakalueshme.
“Rrugët aktualisht janë të pakalueshme në tri drejtime: Drenas-Komoran, Drenas-Guri i Plakës dhe Drenas-Kroi i Mbretit. Qytetarë të nderuar, duhet të keni kujdes të respektoni shiritin e vendosur nga Inspektorati dhe Policia e Kosovës për ndalimin e qarkullimit. Kërkoj të keni kujdes kur të shihni shiritët për ndalimin e qarkullimit edhe për toke, sepse në disa vende i gjetëm të dëmtuar. Aktualisht, urat janë të pakalueshme te Guri i Plakës, te Ademtë, te Hajdarajt, te Mehantë, te Shaltë, Bucolltë, ndërsa te Prenkajt, kalimi është i vështirësuar dhe kërkohet kujdes”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.
Ai theksoi se kujdesi duhet shtuar edhe te kalimi i urave tjera në komunën tonë, sepse, ka mundësi që uji ti ketë dobësuar ato.
“Dy grupe të Shërbimeve Publike dhe Emergjencat, Policia e Kosovës dhe AME-ja, ndodhen në terren duke u përpjekur për përmirësimin e situatës dhe duke e përcjellur atë”, shtoi ai.
I pari i Drenasit e ka falënderuar presidenten Vjosa Osmani Sadriu, e cila sipas tij kishte shprehur gatishmërinë për angazhimin e FSK-së në përballimin e situatës.
“Faleminderit qytetarë të nderuar, respektoni shiritin e ndalimit të qarkullimit!”, përmbyllet postimi i Lladrovcit në Facebook.
