Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ po dalin të jenë ‘mollë sherri’ ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës.
Një kërkesë e kësaj të fundit për ndryshim të marrëveshjes me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare ka sjellë përgjigjen e ashpër të nënkryetarit të Prishtinës Alban Zogaj.
Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se Qeveria e Kosovës pati tendencë për ta përjashtuar Komunën e Prishtinës nga këto lojëra, derisa ka shfaqur brengën se për shkak të mospajtimeve, mund të ketë vonesa në ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme sportive.
“Duke e parë ritmin e projekteve në vendin tonë, duke e parë çfarë problematika na shfaqen vazhdimisht në projektet e mëdha, ne e kemi një brengë që po vonohemi në përgatitje. 2030-ta duket që është larg, por në fakt është te dera, është nesër, dhe sa më shpejt që ne të fillojmë me përgatitje dhe me ndërtim aq më mirë, aq më afër edhe më gati do të jemi. Tani i kemi katër apo pesë vjet para nesh, por në fakt, flasim për diku gjysmë miliard euro investime, pra 500 milionë euro investime në sport nuk absorbohen aq lehtë edhe aq shpejt, dhe kjo është edhe arsyeja pse ne po bëjmë presion edhe te Komiteti, por edhe te Qeveria e Kosovës që, ejani të fillojmë më shpejt me të gjitha përgatitjet, të dalim me tenderë, me thirrje për firmat private, të cilat i ndërtojnë këto fasilitete dhe të fillojmë me punë në teren, sepse ka shumë punë përpara”, tha Zogaj.
Ai ka shtuar se tendenca e qeverisë për ta përjashtuar Prishtinën nga ky organizim është krejtësisht i pakuptimtë.
“Kishte disa tendenca për ta lënë Prishtinën anash organizimit në përgjithësi dhe që ishin për ne tendenca absurde. Si është e mundur kryeqyteti, Prishtina, si nënshkruese, të mbetet anash organizimit, por konsideroj se tani veçse janë sqaruar disa prej këtyre dilemave dhe gjatë këtij muaji unë isha në kontakt me Komitetin Olimpik. Gjatë këtij muaji do të themelohet Komisioni Organizativ, i cili pastaj fillon me përgatitjet e dokumentacioneve dhe me përgatitjet e proceseve tenderuese”, tha Zogaj.
Zogaj ka një mesazh të qartë për Qeverinë e Kosovës, duke thënë se Lojërat Mesdhetare “nuk organizohen pa Prishtinën”.
“Ne arsyet nuk i dimë, na duken edhe absurde neve, nuk na kanë pyetur normalisht sepse ne e kundërshtojmë këtë, e refuzojmë edhe ne jemi vazhdimisht kundërshtues ndaj tendencave të tilla dhe në fakt këtë edhe e themi hapur, nuk është e mundur të organizohen Lojërat Mesdhetare pa Prishtinën. Në 2030-tën ne edhe mund të mos jemi në qeverisje, mund të mos jenë as ata në qeverisje të vendit, ne duhet ta tejkalojmë politikën në këso organizimesh të mëdha të cilat janë në interes të vendit, ky është interes gjigant i Kosovës”, ka thënë Zogaj.
Si pasojë e këtyre mospajtimeve, nënkryetari i Prishtinës thekson se komunikimi dhe raportet me Qeverinë dhe Ministrinë e Sportit nuk janë në nivelin e duhur.
“Nuk janë të kënaqshme raportet tona qe një kohë dhe këtë ne po e themi në çdo mundësi që e kemi, edhe për Ministrinë e Sportit edhe për qeverinë në përgjithësi. Nuk janë të kënaqshme marrëdhëniet, komunikimi nuk është i kënaqshëm. Ne duhet ta kemi një bashkëpunim më të fuqishëm, më intensiv me Qeverinë e Kosovës, sepse kryeqyteti është përtej politikës, kryeqyteti është i të gjithëve, institucionet qeveritare këtu e kryejnë funksionin dhe jetën e tyre çdo ditë, andaj duhet pasur një komunikim më të mirë mes vete”, deklaroi Zogaj.
Megjithatë, optimizmi për ta tejkaluar këtë situatë ekziston ende dhe sipas Zogajt Kosova nuk rrezikon ta humbë të drejtën e organizimit të këtyre lojërave.
“Jo, jo absolutisht, unë besoj që të gjitha këto vështirësi që po i hasim tejkalohen. Ka kohë akoma, ne jemi në vitin 2024, lojërat janë në vitin 2030, por çdo ditë e humbur në procese burokratike dhe për të mos e quajtur edhe në disa telashe politike është mëkat, sepse duhet ta fillojmë punën sa më shpejt që është e mundur. Ka procese prokurimit, procese ndërtimi që marrin shumë kohë, ne nuk kemi edhe ekspertizë në ndërtime të tilla, duhet të ftojmë ekspertizë prej shteteve evropiane, andaj ka punë në këtë drejtim e ne po insistojmë si kryeqytet ta fillojmë këtë punë sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Zogaj.
Ndryshe, Kosova e fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare të mbajtur në shtator të vitit të kaluar në Kretë të Greqisë.