Pasi deputetët e rinj nga Lista Serbe morën mandatin dhe u betuan në Kuvendin e Kosovës se do ta mbrojnë Kushtetutën, kufijtë ekzistuese dhe sovranitetin e Kosovës, Lista Serbe paraqitet me edhe një postim demagogjik në Facebook, ku pretendojnë se Lista Serbe “i ka mbajtur mandatet e tyre në duart e sigurta dhe se kanë penguar synimin e Kurtit dhe Rada Trajkoviqit në shfuqizimin e komunave serbe, heqjen e gjuhës serbe” etj.
Në vazhdim është postimi i plotë i Listës Serbe në Facebook:
“Sot në Kuvendin e Prishtinës nëntë përfaqësues të Listës Serbe verifikuan teknikisht mandatet e tyre duke i mbajtur në duar të sigurta dhe menjëherë u larguan nga seanca e Kuvendit”.
”Me vendimin sotëm strategjik u pengua drejtpërdrejt realizimi i planit të Albin Kurtit dhe serbëve të përshtatshëm për të ndryshojnë Kushtetutë dhe ligjet që garantojnë të drejtat e popullit serb në Kosovë. Synimi i Kurtit dhe Rada Trajkoviqit, si dhe i të tjerëve si ajo, ishte që të votonin ndryshimet kushtetuese që do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe, marrjen e pronave nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe, të drejtën e përfaqësimit në institucione etj”.
”Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës, me çka mbyllen të gjitha institucionet e Kosovës në këtë territor dhe si kundërpërgjigje ndaj shkeljes së marrëveshjes së Brukselit, keqtrajtimit të popullit serb dhe shkeljes së të gjitha të drejtave të njeriut”.
”Në fund, duam të theksojmë se qëllimi ynë është të mbrojmë popullin tonë, paqen dhe sigurinë, por edhe të mos lejojmë Kurtin dhe Rada Trajkoviqin të vendosin në emër të popullit serb dhe të vendosin për jetën tonë”.