Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk ka paralajmëruar se Evropa ka hyrë në “periudhën e paraluftës” dhe nëse Ukraina mposhtet nga Rusia, askush në Evropë nuk do të jetë në gjendje që të ndihet i sigurt.
“Nuk dua ta frikësoj askënd, por lufta më nuk është koncept nga e kaluara”, ka thënë ai për mediat evropiane. “Është reale dhe ka nisur para më shumë se dy vjetësh”, raporton BBC.
Qëndrimet e tij i ka shpalosur në ditën kur Rusia ka realizuar fushatën e re ajrore ndaj Ukrainës. Në javët e fundit, Rusia ka intensifikuar bombardimet ndaj Ukrainës.
Të premten, forcat ajrore të Ukrainës kanë njoftuar se kanë rrëzuar më shumë se 58 dronë dhe 26 raketa. Cak i këtyre raketave dhe dronëve ishte infrastruktura energjetike e Ukrainës. Kjo infrastrukturë është dëmtuar në gjashtë rajone të Ukrainës.
Kompania shtetërore energjetike e Ukrainës ka njoftuar për mungesë të energjisë në tri rajone – Dnipropetrovsk, Zaporizhzhia dhe Kirovograd.
U ka bërë thirrje ukrainasve që të kursejnë energjinë elektrike.
Tusk, ish-president i Këshillit Evropian, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin tashmë ka fajësuar Ukrainën për sulmin xhihadist në Moskë. Akuzat i ka bërë pa asnjë fakt. “E ndjen nevojën që të arsyetojë sulmet e dhunshme ndaj civilëve në Ukrainë”, ka thënë kryeministri polak.
Ai ka thënë se Rusia e ka sulmuar Kievin me raketa hipersonike gjatë ditës. Kjo ka ndodhur për herë të parë që prej fillimit të luftës.
Ai ka përdorur intervistën me mediat e huaja për t’u bërë thirrje liderëve evropianë që të forcojnë mbrojtjen.
Ai ka thënë se Evropa mund të bëhet partnere atraktive për SHBA-në nëse vetëpavarësohet ushtarakisht, pa marrë parasysh nëse Joe Biden apo Donald Trump fitojnë zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor.