Është më i madh, në gjatësi, por më i vogël për nga fuqia politike a ushtarake.
Pak a shumë, mbiemrin e dytë të fjalisë së parë, kryeministri Albin Kurti, zgjodhi t’ia veshë Aleksandar Vuçiqit të Serbisë kur e krahasoi me Vladimir Putinin e Rusisë.
Në fakt, kosovari nuk ia përmendi emrin atij që e quajti të vogël, por la të kuptohet për kë e ka, pasi po fliste për dy persona që sipas tij, rrezikojnë sigurinë e Ballkanit. Tjetri u kuptua se është Milorad Dodik i Republika Srpska.
“Me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnje Hercegovinës dhe Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar”, shkroi Kurti në Facebook.
Ky krahasim u prit keq në Beograd. Në vend të Vuçiqit foli vartësi i tij ‘i vogël’ Petar Petkoviq, i cili ia ktheu Kurtit, duke e quajtur “Hitleri i vogël nga Ballkani”.
“Në ëndrrat dhe planet e tilla të Hitlerit, ai shqetësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili po lufton si luan për interesat e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, deklaroi Petkoviq.
Cilësimet dhe krahasimet jo të mira u bënë modë e re në debatin politik Kosovë-Serbi dhe jo vetëm, Vuciq e quajti Kurtin mizë, ditë më parë.
“Më keq se hienat, që megjithatë duhet respektuar të paktën për gjak pirje, më keq është të jesh mizë që sillet rreth tyre dhe pret t’ia sjellin prenë, çfarë janë Albin Kurti dhe Milo Gjukanoviq”, u shpreh Vuçiq më 13 prill.
Për këtë deklaratë reagoi një ditë më vonë presidentja Vjosa Osmani, që menjëherë i kujtoi Vuçiqit se ishte, siç tha, ministër i kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq.
Në një rast tjetër, ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin, e quajti Kurtin budalla që mund ta ndezë luftën në Ballkan.
Cilësim unik, por jo ndaj Putinit të vogël, por atij të madhit në fuqi e pushtet, Vladimirit të Moskës, bëri presidentja Osmani, duke e quajtur kriminel lufte./Gazeta Enigma/