Lufta në Ukrainë thërret për mbrojtje të përhershme të vendeve baltike prej NATO-s

Lufta në Ukrainë thërret për mbrojtje të përhershme të vendeve baltike prej NATO-s

“Nuk keni 60 ditë për të çuar tanket tuaja në Estoni. Sepse deri në atë fazë nuk do të ketë Estoni, duke pasur parasysh atë që kanë bërë rusët në Ukrainë”.

Kaq troç foli Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace.

Në një takim të NATO-s në Bruksel, të javës së shkuar, ai nuk u tregua hiç i patakt në atë çka tha.

Prej kohësh, shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë – krahu verilindor i aleancës transatlantike – kanë paralajmëruar për një sulm të mundshëm rus.

Një paralajmërim i bërë përpara se të fillonte sulmi i Moskës kundër Ukrainës në shkurt.

Teksa Rusia shton kërcënimet kundër shteteve baltike, ditë përpara samitit vjetor të organizatës në Madrid, debati mbi llojin e mbështetjes që duhet t’u ofrojnë aleatët e NATO-s është intensifikuar.

Jo më larg se javën e kaluar, Gjermania njoftoi se do të angazhonte 3 mijë e 500 trupa shtesë për të mbrojtur Lituaninë. Por që do të mbante shumicën e tyre të stacionuar në vend.

Qasja e Berlinit ka fituar mbështetje edhe midis aleatëve të tjerë perëndimorë.

Të shqetësuar nga kostoja e dislokimeve afatgjata dhe mundësia e provokimit të Moskës, ata argumentojnë se vendosja paraprake e disa pajisjeve dhe trupave është masa më e zgjuar.

Por aleatët e pambrojtur, si Lituania, thonë se kanë nevojë për mijëra trupa të NATO-s, plotësisht të armatosura dhe të furnizuar, për t’iu përgjigjur menjëherë çdo sulmi rus.

Margarita Šešelgyte, drejtuese e Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkencave Politike në Universitetin Vilnius, tha se qasja gjermane “nuk është një mesazh i mirë për ne”.

“Për sa i përket sigurisë sonë, forcat e para-pozicionuara të mbrojtjes janë një domosdoshmëri”, ravijëzon ajo.

Sipas saj, në këto vende mungon vizioni strategjik. “Ukraina ishte dhe është në gjendje të mbrohet për shkak të kësaj. Vendet baltike, në përgjithësi, mund të pushtohen nga forcat ruse brenda një jave”.

Bazat e përhershme, si ato të ngritura nga SHBA-të në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore, janë të shtrenjta. Trupat udhëtojnë me familjet e tyre, duke kërkuar komplekse të shumta me banesa dhe shkolla.

Në vend të kësaj, “prania e zgjeruar” e NATO-s e grupeve luftarake të udhëhequra nga të huajt në vendet lindore, të ngritura në vitin 2017 dhe të zgjeruara këtë pranverë, mbështetet në dislokimet e trupave “të pashoqëruara”.

Këta të fundit janë ushtarë me rotacion të përkohshëm, ndonjëherë qëndrojnë në tenda, si një stërvitje e zgjeruar ushtarake.

“Kjo është rruga për të ecur përpara”, tha Kajsa Ollongren, ministrja holandeze e Mbrojtjes.

“Jemi dakord për qasjen gjermane, e cila mendoj se i përshtatet një strategjie që duhet të kemi për të gjithë krahun lindor të NATO-s, që do të thotë një qëndrim më i fortë, por gjithashtu fleksibël”, ka shtuar ajo.

Dhe se është po ashtu “e qëndrueshme, sepse nuk duhet të kesh gjithçka dhe të gjithë në vend, por duhet të jesh shumë i shpejtë në përgjigje dhe të kesh forcat gati”.

Holanda kontribuon me trupa në grupin luftarak të NATO-s të udhëhequr nga Gjermania në Lituani. Kurse Mbretëria e Bashkuar kryeson grupin e betejës në Estoni, Kanadaja në Letoni dhe SHBA-të në Poloni.

Për shumë kryeqytete të NATO-s, një qasje më e shkathët, me aftësinë për t’u vendosur shpejt aty ku është e nevojshme, është një parandalues ​​më i mirë se mbrojtja fikse që çdo pushtues i mundshëm mund të planifikojë ta shmangë.

Por kjo varet nga shtetet kufitare të cenueshme që besojnë se aleatët e tyre do të vendosen mjaft shpejt dhe me forcën e nevojshme për të zmbrapsur një sulm të përqendruar.

Përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt, NATO foli për një strategji, ku disa mijëra trupa në vendet lindore do të shërbenin si një parandalues ​​sulmi fillestar, përpara se të arrinin përforcime serioze.

Kjo nuk shihet më si e qëndrueshme.

Në orët e hapjes së sulmit, zyrtarët e inteligjencës perëndimore paralajmëruan se Kievi ndoshta do të bjerë brenda tre ditësh, duke pasur parasysh shkallën e sulmit.

Në realitet, një kombinim i gabimeve strategjike ruse dhe kundërsulmeve të suksesshme të Ukrainës e penguan atë sulm fillestar.

Baltikët shqetësohen se nëse Rusia ka mësuar nga ai dështim, kalorësia e NATO-s do të mbërrinte shumë vonë për të parandaluar rënien e kryeqyteteve të tyre.

Related Articles